Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me biznese që aderojnë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, ku i njohu nga afër me kriteret dhe përfitimet që ka marrja e statusit të Operatorit Ekonomik i Autorizuar.

Gjatë këtij takimi z. Gazheli, informoi sipërmarrësit mbi risitë e bëra nga Administrata Doganore, që tashmë janë të prekshme dhe të ndjeshme për bizneset.

Rritja e eksporteve dhe importeve gjatë këtyre muajve të parë të vitit, është një tregues i matshëm tashmë që ekonomia dhe vetë bizneset janë në ringritje, pas dy krizave që kaluam si Tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia e Covid 19.

“Pavarësisht një viti sfidues nga pandemia, Administrata Doganore ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, në funksion të lehtësimit të eksportit dhe importit, duke bërë përpjekjet maksimale në funksionet e saj kontrolluese, sigurimit të trajtimit të barabartë, mbrojtjes së konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme”, theksoi Gazheli, duke shtuar, se “gjithmonë ka aspekte për t’u përmirësuar ndaj dhe zhvillojmë këtë takim të drejtëpëdrejtë me Dhomën e Tregtisë dhe bizneset e saj”.

Ndërkohë bizneseve iu bë e ditur që certifikata “Operatori Ekonomik i Autorizuar”, është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.

Në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë mes vendeve të Ballkanit Perendimor-CEFTA është një certifikatë sigurie për shërbime të shpejta doganore për të lehtësuar, jo vetëm lëvizjen e lirë të mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor, por edhe duke rritur prestigjin e administratave respektive doganore në shërbim të biznesit.

Ky takim vjen në vazhdën e një sërë takimesh, që Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gazheli, së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj, kanë zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit.

Ky është një tregues i vëmendjes së qeverisë për autoritetet doganore, vlerësoi Gazheli, ndaj dhe vetëm në muajt e fundit, kemi akorduar 4 certifikata për OEA ndërkohë që janë në proces dhe 5 aplikime të tjera.

Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan këtë komunikim të drejtëpërdrejtë me strukturat doganore, si dhe mirëpriten ftesën e Kreut të Doganave, për të aplikuar për statusin e OEA, për ato sipërmarrje që plotësojnë kushtet teknike dhe financiare për ta përfituar këtë status.