Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi që mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për deputetin Saimir Tahiri të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.
Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka deklaruar se këto informacione nuk mund të ndahen me publikun.
“Kërkojmë që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kemi dokumentacion, do ballafaqohemi patjetër. Nuk kemi ardhur të bëjmë show mediatik apo politik. Kemi informacione që vijnë nga strukturat ligjzbatuese të vendit ku flitet për aktivitete kriminale, emra personash. Ne nuk kemi pse ndajmë me opinionin publik materiale që ju rezervohen vetëm personave që duhet t’i shikojnë”, tha drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Hajdarmataj.
Ndërkohë, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës anëtarë të këtij Këshilli kërkuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura për shkak se është çështje sensitive. Megjithatë, ata theksuan se në rastet kur duhet të publikohen prova sekrete, atëherë mbledhja mund të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Pas kërkesës së njëjtë të mazhorancës dhe opozitës që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, prokurori Hajdarmataj nisi raportimin e dosjes hetimore.
Besim Hajdarmataj: Kur kishim dijeni që Moisi Habilaj ishte larguar nga territori shqiptar, kemi marrë informacion që ky person ishte arrestuar nga autoritetet e drejtësisë italiane për llogari të hetimit të tyre të nisur në 2013-n. Në këto rrethana, filluam një procedim tjetër kryesisht për persona që ishin të publikuar në vendimin e drejtësisë italiane, ku janë të përfshirë vëllezërit Habilaj dhe persona të tjerë. Kishte biseda kompromentuese me deputetin Saimir Tahiri.
Në rastin konkret krijohet dyshimi i arsyeshëm se në këtë aktivitet është i përfshirë edhe deputeti Saimir Tahiri. Kemi verifikuar të dhëna që përforcojnë bindjen tonë që realisht ato biseda përputhen me njëra-tjetrën duke kryer dhe disa verifikime në sistemin TIMS dhe ka rezultuar që Saimir Tahiri në 2013-n duke pasur në pronësi një automjet të tij, ia kishte shitur Artan Habilajt. Më mbrapa na ka rezultuar që ky automjet është ripërdorur gjatë viteve 2013-2014. Ka urdhëtuar kryesisht në Greqi. Na rezulton që ndërkohë që deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllzërve Habilaj në Greqi dhe më pas deputeti është kthyer në Shqipëri. Asnjëherë nga Policia e Shtetit nuk është referuar në Prokurori material për aktivitetin kriminal të këtyre personave.
Ne kemi ardhur për të kërkuar këtu për të kërkuar heqjen e imunitetit që në çdo moment deputeti mund të jetë i ekspozuar ndaj një mase sigurie, siç është Gjykata e Krimeve të Rënda.
Deputeti Ulsi Manja: Nuk e kuptova, i kërkohet këshillit dhënia e autorizimit për heqjen e imunitetit për arrestimin, apo për kontroll banese e kontroll personal? Kërkoj të qartësohem nga organi i akuzës.
Prokuroria: Kemi kërkuar autorizim për heqjen e imunitetit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri dhe për kontroll banese.
Deputeti Enkelejd Alibeaj: Në çfarë cilësie është regjistruar Saimir Tahiri në regjistrin e procedurës penale?
Prokuroria: Është një procedim kryesisht, i datës 17.10.2017 duke ju referuar të dhënave të bëra publike dhe më mbrapa kemi materialin për të gjithë personat e përfshirë në aktivitetin kriminal. Bashkë me këta persona, kemi regjistruar edhe emrin e Saimir Tahirit.
Deputeti Alibeaj: Mund të më citoni veprën penale që akuzohet Saimir Tahiri?
Prokuroria: Trafikut të narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë.
Deputeti Alibeaj: Ekziston dyshimi që Saimir Tahiri të prishë provat?
Prokuroria: Kemi dyshime që mund të jemi përpara këtyre rasteve. Kemi filluar hetim duke e mbajtur në fshehtësi të plotë për shkak të një implikimi të gjerë të punonjësve të policisë.





