Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së ka hapur një debat të madh për mbijetesën në treg të biznesit të vogël. Ndryshimet në paketën fiskale 2017-2018, pritet të prekin edhe biznesin e vogël, thënë më konkretisht, do të aplikohet edhe për të skema e TVSH-së.

Ky vendim i qeverisë “Rama 2” jo vetëm që nuk është mirëpritur nga biznesi i vogël, por zërat kundër me argument janë rritur.

Për kryetarin e Institutit të Kontabilistëve të Miratuar durrsakë, Besim Tusha, qeveria dhe biznesi janë futur në qerthull për shkak se vendimi i qeverisë bie ndesh me interesat e biznesit të vogël.

Qeveria duket e vendosur për ta hedhur këtë hap dhe ky vendim pritet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve për biznesin e vogël.

Për kontabilistët, Gjykata Kushtetuese ka krijuar precedentin e nevojshëm. Kjo gjykatë pak ditë më pare i dha të drejtë kërkesës së avokatëve për tu përjashtuar nga skema e TVSH-së me pretendimin se kjo do të prekte drejtpërdrejtë klientët e tyre.

Për ekspertët kjo situatë duket pa zgjidhje, për aq kohë sa qeveria dhe biznesi nuk tërhiqen nga vendimet e tyre. Klasifikimi sipas natyrës së biznesit, rritja e nivelit të xhiros për biznesin e vogël deri në 15 milionë, vendosja e TVSH-së për mallrat që tregtohen për rishitje janë disa nga alternativat, që mund të shoqërojnë këto ndryshime.

Por në anën tjetër ka një mungesë të theksuar informacioni për biznesin e vogël i cili me situatën e krijuar rriskon falimentin në çdo kohë. E nëse kjo do të shoqërohej me falimentimin e bizneseve familjare apo edhe me rritjen e çmimeve, qeveria duhet të rishikojë vendimin. 

K.H.