Afro 2000 banorë kanë përfituar nga investimi i Ujësjellës Kanalizime Durrës në zonën e Kodër Vilës dhe lagjen 10 për rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të ndotura. Zona në fjalë, e populluar me shumë ndërtime të ngritura vitet e fundit, nuk ka pasur rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe për këtë arsye dega teknike pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës hartoi projektin për rrjetin e ri të kanalizimeve.
Projekti parashikonte shtrimin i rrjetit të ri kryesor të kanalizimit me tubacion të brinjëzuar 315 mm me gjatësi totale 1350 ml. Në total, në përfundim të punimeve janë ndërtuar 3114 metër linear kanalizime si dhe 113 puseta kontrolli të piketuara përgjatë gjithë linjës kryesore dhe dytësore. Përpara investimit në fjalë, e gjithë zona operonte me gropa septike, ndërsa pjesa më e madhe e ujërave të ndotura përfundonin në rrugë duke u bërë burim ndotjeje dhe duke përhapur erë të keqe. Gjatë zbatimit të projektit firma zbatuese e punimeve ka bërë lidhjet e duhura të kanalizimeve kryesore dhe dytësore me kolektorin ekzistues.
Projekti është zbatuar në rrugët: "Ulliri i Çel Islamit", "Doktor Natani", "Zeqai Spahiu", "Kuvendi i Vlorës", "Kont Urani" dhe "Adriani". Zona ku është kryer investimi karakterizohet nga ndërtime informale një deri në disa katëshe. Ajo vuante nga mungesa e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura, pasi si zonë relativisht e re nuk kishte një rrjet të mirëfilltë kanalizimesh. Nga ana tjetër, banorët e zonës e kanë zgjidhur këtë problem me anë të ndërtimit të gropave septike,të cilat të ndërtuara jashtë kushteve teknike shkaktonin filtrime të ujërave të ndotura duke sjellë probleme dhe në infrastrukturën e zonës. Materialet e përdorura në këtë investim janë tubacione plastike të brinjëzuar HDPE, të cilët shoqërohen me certifikatë cilësie nag fabrika.
Pusetat e kontrollit janë ndërtuar me përmasa 1×1×1.5 m beton arme, me kapak gize, ndërkohë që në cdo pusetë është llogaritur dalja e degëzimeve për t’u lidhur me rrjetin ekzistues të zonës. Në përfundim të investimit është bërë testimi i rrjetit dhe çdo gjë ka përfunduar sipas parashikimeve.





