Ashtu siç e kishin parashikuar sondazhet, Sebastian Kurz fiton zgjedhjet legjislative në Austri dhe zgjidhet kancelari i vendit.
Menjëherë pas mbylljes së votimit, Exit Poll-et nxjerrin fitues ministrin aktual të Punëve të Jashtme, me 30.2%, duke lënë pas të djathtën ekstreme të Christian Strache me 26.8% dhe social demokratët me 26.3%
Vetëm 31-vjeç, Sebastian Kurz, i mbiquajtur “djaloshi mrekulli” nga austriakët, bëhet kreu i qeverisë më i ri në historinë e BE, ndërsa pas më shumë se 1 dekade social-demokratët lënë drejtimin e vendit.
Një nga arsyet e disfatës së qendrës së majtë të Christian Kern ishte edhe një skandali me lajme të rreme që u reflektua në votë.
Nisur nga rezultatet paraprake, asnjë nga forcat nuk e formon e vetme qeverinë. Skenarët e koalicioneve janë dy. Partia Popullore, fituese e zgjedhjeve mund të mbajë aleancën me social-demokratët, por këtë herë me një rokadë në pushtet, ose të formojë koalicion me Partinë e Lirisë.
Fushata e këtyre zgjedhjeve u dominua nga përballja ndaj krizës së emigrantëve, me ekstremistët e djathtë të zotuar t’i përzënë, duke rritur ndjeshëm kuotat elektorale. Po ashtu edhe Sebastian Kurz premtoi ashpërsim të masave për emigrantët, përfshirë edhe për ata që nuk vijnë nga Lindja e Mesme.
Zgjedhjet në Austri shihen me tepër interes në Europë për shkak të rritjes së frymës së të djathtës ekstreme në kontinent, veçanërisht në Francë e Gjermani.