Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaroi hapur se nuk e dëshiron pavarësinë e Katalunjës, për arsyen e thjeshtë se kjo do të inkurajonte edhe rajone të tjera të bënin të njëjtën gjë, duke e komplikuar kështu qeverisjen e BE-së.

Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Luksemburgut, kreu i krahut ekzekutiv të bllokut tha si me shaka se, Bashkimit Europian nuk i vjen për shtat të numërojë me dhjetëra anëtarë pas një dekade e gjysmë, për shkak të shkëputjes së territoreve nga anëtarët ekzistues.

“Nëse lejojmë, edhe pse nuk na takon neve zgjidhja e kësaj çështjeje, që Katalunja të fitojë mëvetësinë, të tjerë si ajo do të hedhin të njëjtin hap, e kjo nuk na pëlqen. Nuk do të doja që pas 15 vitesh të kishim një Bashkim Europian me 90 vende anëtare”, tha Jean-Claude Juncker, kryetar i KE-së.

Ish-kryeministri i Luksemburgut shtoi se, Komisioni nuk do t’u përgjigjet thirrjeve për ndërmjetësim, nëse këtë ia kërkon vetëm njëra palë.

Më 11 tetor, Madridi zyrtar i la presidentit të Katalunjës 5 ditë afat për të sqaruar saktësisht, nëse do ta shpallë apo jo pavarësinë e rajonit autonom, e në rast se ai e konfirmon një gjë të tillë, ka dhe 3 ditë të tjera në dispozicion për ta përmbysur vendimin.