Një pjese të rrugës publike “Kumini” në Durrës i ka dalë ‘pronari’.

Rrugica me kalldrëm artificial që gjendet paralel me bulevardin e Durrësit dhe që të çon nga shkolla “Shaqe Mazreku” te pallati i kulturës, është disi e vështirë për t’u përshkuar nga dy automjete në sense të kundërta për shkak të ngushtësisë që ka.

E sikur të mos mjaftonte kjo, një prej banorëve të lagjes që ka shtëpinë aty, e ka bërë këtë situatë akoma më të vështirë për dhjetëra mjete që kalojnë çdo ditë, si dhe për fqinjët që nuk kanë ku të parkojnë.

Si ‘Zot’ i rrugës, ai ka rrethuar me zinxhir të dyja anët e kësaj pjese rruge që shihni në foto, me qëllim që askush tjetër të mos parkojë në këtë vend që e ka uzurpuar si personal të tijin.

Banorët e lagjes thanë për “DurrësLajm” se janë ankuar edhe te i plotfuqishmi i lagjes për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, por pavarësisht se punonjësi i Policisë së Shtetit kalon çdo ditë aty, me sa duket nuk i bën përshtypje për sa kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për çlirimin e rrugës.

“DurrësLajm” do të vijojë ta ndjekë këtë problematikë deri në zgjidhjen përfundimtare dhe në rikthimin e lirë të rrugës.