Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së ka vendosur që të enjten e seancës parlamentare të thërrasë në interpelancë një sërë ministrash të kabinetit qeveritar për një sërë çështjesh të nxehta politike dhe ekonomike në vend.

Ky është dhe vendimi i parë i marrë nga demokratët të cilët në fokus të interpelancës do të vënë Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, për ta “marrë në pyetje” lidhur me një sërë tekstesh të një cilësie me të vërtetë skandaloze, që qarkullojnë këtë vit shkollor në bankat e nxënësve shqiptarë.

Jashtë vëmendjes sigurisht nuk do të lihet Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm, si dhe situata aktuale me kriminalitetin, kanabisin dhe së fundmi vettingun në rradhët e policisë, për të cilën vetë ministri ka folur shpesh kohët e fundit.

Një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, është dhe përvijimi i aksionit opozitar në lidhje me çështjen e shumëdebatuar të ligjit për importin e mbetjeve si dhe debatin aktual që shoqëroi sot Komisionin Parlamentar të Ligjeve, në lidhje me punonjësit dhe fondet e organeve të Vettingut.