Një javë para ndeshjes së parë në Kampionatin Europian, përfaqësuesja e Spanjës po jeton ankthin e COVID-19. Për momentin bëhet fjalë për vetëm një lojtar të infektuar, por ekziston frika reale se testet në ditët në vijim mund të nxjerrin edhe emra të tjerë, pasi grupi ka qenë gjatë gjithë kohës bashkë. Testet e zhvilluara sot kanë nxjerrë pozitiv kapitenin e Spanjës, Serxhio Buskets, duke alarmuar spanjollët të cilët kanë qenë të grumbulluar në qendrën e tyre të ekipeve kombëtare në Las Rozas.
Që nga ai moment, i janë nënshtruar testeve të vazhdueshme të gjithë personat, 51 të tillë, që punojnë në kontakt me grupin e lojtarëve, për të evituar që virusi të vinte nga jashtë, pasi nuk dihet ende burimi i këtij infektimi.Federata Spanjolle kishte kërkuar që të vaksinonte lojtarët e grumbulluar, por nuk mori lejen e veçantë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi nuk i përkitnin grupmoshës që kishte radhën sipas planit të vaksinimit kombëtar. Si rrjedhojë, lojtarët nuk janë të mbrojtur në këtë mënyrë nga virusi dhe testi i sotëm nga i cili rezultoi Buskets pozitiv, tregoi se sa e lehtë është që ky virus të shkatërrojë planet e ekipeve.
Tani përfaqësuesja e Spanjës dhe të gjithë kontaktet e lojtarëve në ditët e fundit jetojnë në izolim të plotë brenda qendrës stërvitore, me stërvitjet që janë kthyer në individuale për të mbajtur formën, derisa të jetë garancia e plotë nëpërmjet testeve se nuk ka të infektuar të tjerë brenda grupit. Luis Enrike mund të ndryshojë listën deri në ditën e fundit para debutimit në aktivitet, pasi UEFA e lejon një gjë të tillë.Megjithatë, ky nuk është shqetësimi kryesor, pasi ajo që përbën problem për spanjollët është fakti se ekipi duhet të jetë i izoluar plotësisht dhe stërvitjet në grup për momentin janë të ndaluara sipas protokollit, Po ashtu, ndeshja e planifikuar si test të martën ndaj Lituanisë nuk do të luhet dhe në vend të skuadrës së Luis Enrikes, në fushë ndaj lituanezëve do të jetë ekipi U21.





