Eurodeputeti Knut Fleckenstein prej ditës së djeshme ndodhet në Shqipëri për një vizitë blic. Në një konferencë për mediat, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, tregoi qëllimet e ardhjes së tij. Ai tha hapur se kish ardhur të dëgjonte palët politike dhe të shihte situatën pas zgjedhjeve. Duke u ndalur tek procesi i integrimit të Shqipërisë, Fleckenstein nuk e përjashtoi mundësinë e çeljes së negociatave me BE-në gjysmën e parë të vitit 2018-të, gjë për të cilën tha se do jepte mbështetjen e plotë.

“Mbërrita në Tiranë dje, më shumë për të dëgjuar se sa për të dhënë mesazhe të mëdha. Kam ardhur të dëgjoj cila është situata pas zgjedhjeve që patëm në qershor se cilat janë prioritetet që ka qeveria. Jam vërtet shumë falenderues dhe mirënjohës Presidentit dhe ndihmësve të grupeve parlamentare. Do takohem edhe me disa ministra të qeverisë që të marrë informacionet e duhura për rrugëtimin që do ndjekë Shqipëria drejt BE, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe për të vënë në zbatim reformën në drejtësi. Palët me sa pashë kishin një qasje të përafërt për reformën zgjedhore. Negociatat mund të çelen në mars, por nuk është Parlamenti Europin por Këshilli Europian ai që e vendos këtë. Di që nuuk ka kushte të tjera përveç 5 prioriteteve kyçe”,- sqaroi ai.