Partia Demokratike depozitoi sot në Parlament kërkesën për ngritjen e një komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, pasi shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me shitblerjen dhe manipulimin e votës si dhe votimin e numërimin elektronik.
Kryedemokrati Basha, sqaroi se është i hapur për çdo model, por vuri tre kushte jetike, siç u shpreh ai. Sipas tij, qeveria “Rama 2” nuk do të vinte në pushtet pa mbështetjen e milionave të drogës. Ndër të tjera, Basha tha se marrëveshja e 18 majit u vra përmes zgjedhjeve të 25 qershorit, për mungesë ndershëmrie në garë.
“Sa kohë që qeveria nuk vjen nga vota e ndershme, por nga vota e marrë me paratë e drogës dhe krimit nuk i shërben njerëzve por këtyre grupeve. Ne jemi të hapur për çdo model për çuarjen përpara të reformës zgjedhore, por duhet të plotësohen tre kushte: Votim elektronik dhe numërim elektronik, të ulet roli i kryetarëve dhe partive dhe të forcohet roli i qytetarëve në këtë proces. Ti themi gjërat si janë. Kjo qeveri nuk do ishte qeveri pa milionat e drogës. Marrëveshja e 18 majit u vra nga Rama përmes zgjedhjeve të 25 qershorit, objekti i marrëveshjes ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Secili do jetë reagimi i Ramës do e shohim. Ai blen dhe manipulon. Ndaj ne nisëm rrugëtimin tonë, pasi Rama u rreshtua edhe kësaj radhe në anën e atyre që ua mohojnë qytetarëve të drejtën, përmes dhunës kriminale dhe blerjeve. Ndaj e llogarisim Ramën jo si aleat, por vetë problemi. Ndaj jemi vendosur që të bëjmë këtë aleancë jo vetëm me demokratët, por edhe qytetarët,”-vijoi Basha.





