Grupi i të pakënaqurve me kryetarin e PD-së Lulzim Basha ka paralajmëruar muaj më parë nisjen e një lëvizjeje për demokratizimin e PD-së.
Kritikat ndaj Bashës u ashpërsuan pas mospërfshirjes në listat e deputetëve të 25 qershorit. Kur kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet për Kuvendin, ish-nënkrytari i kësaj partie, Astrit Patozi ka deklaruar për "Oktapod" se së shpejti do nisë lëvizja brenda PD-së.
Ai foli me emra duke konfirmuar që në lëvizjen e tij do të jenë Topalli, Bregu dhe shumë të pakënaqur të tjerë ndaj Bashës, të cilët futen te i quajturi grupi antiBasha.
"Unë jam i detyruar ta pranoj, pasi unë jam konformist. Por unë e njoh atë si kryetar të PD-së në momentin kur ai do të pranojë fraksionin kundër brenda partisë. Pra kjo do të thotë ekzistencën e një mendimi ndryshe në PD”, tha Patozi duke shtuar se ky fraksion duhet të përfaqësohet me poste.
“Po sigurisht, ku keni parë ju që gjeneralët të rikthehen si ushtarë të thjeshtë. Vetëm një i marrë mund ta mendojë këtë gjë”.
Gjithashtu, Patozi ka ndryshuar mendim në lidhje me mospërfshirjen në listën e deputetëve nga kreu i asaj partie, Lulzim Basha, duke u shprehur se është ndjerë i çliruar që nuk ishte pjesë e asaj mbledhjeje ku rrodhën votat.
“Kur e mësova në fillim që nuk isha në listën “Basha”, kisha një lloj keqardhjeje, pasi mendoja se isha ende i zoti të qëndroja në fushë. Me kalimin e kohës, me prezantimin e grupit të PD-së, jam ndjerë i çliruar që nuk isha pjesë e asaj mbledhjeje ku rodhën votat”, tha Patozi.





