Qeveria e Turqisë u ka tërhequr vërejtjen shtetasve turq që jetojnë ose udhëtojnë për në Gjermani, duke përmendur retorikën raciste në rritje, para zgjedhjeve parlamentare gjermane më 24 shtator.
Në deklaratën e sotme, Ministria e Jashtme turke ka kërkuar që shtetasit e Turqisë “të kenë kujdes në Gjermani, ku ata mund të rrezikohen nga trajtimi ksenofobik apo racist”.
Ministria, po ashtu i ka këshilluar shtetasit që t'u shmangen debateve politike dhe tubimeve para zgjedhjeve.
Në deklaratë, po ashtu theksohet se kandidatët gjermanë e kanë formuar fushatën e tyre zgjedhore në deklarime antiturke, për ta parandaluar anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.
Raportet ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë janë përkeqësuar prej puçit të dështuar të vitit të kaluar kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe për shkak të kritikës së fuqishme të Gjermanisë kundër goditjes së autoriteteve turke pas grushtshtetit, ku janë arrestuar më se 50 mijë vetë. /REL