Erion Braçe, deputeti i PS-së, ka folur këtë të mërkurë me Erla Mëhillin në “Now” lidhur me zhvillimet e brendshme dhe të përgjithshme politike në vend. Braçe i është përgjigjur moderatores edhe për betejën për zgjedhjet në Tiranë, ku ka shprehur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, ai do të vijojë betejën.

Mëhilli: A i qëndroni sërish projektit për të kandiduar në Bashkinë Tiranë?

Braçe: Është çështje algoritmi kjo, ndaj s’ju ka rënë në sy, sepse janë marrë me protestën. A keni dëgjuar të tërhiqem nga ky projekt? Jo. Nuk tërhiqem nga ajo gjë. Nuk kam kërkuar as nder, as favor, as çelës karriere, as nuk kam kërkuar shpërblim për çfarë kam bërë deri tani. Nuk dua të më emërojnë. Kam kërkuar një proces ku socialistët zgjedhin. Votën e atyre do të kërkoj unë. Edhe atyre që janë gri. Kam kërkuar një proces të hapur demokratik dhe kandidatin e tyre, për ta transformuar Tiranën në një hap të ri dhe në një standard të ri.

Mëhilli: Çfarë do të bëni nëse Rama nuk e merr parasysh?

Braçe: Do të vijoj betejën. E ka detyrim statutor. Gara në Tiranë i shërben një procesi demokratik brenda partisë. Të konkurroj me Ogertën, me Arbrin, me kë të doni ju. Nuk ka arsye që PS të bëjë hap prapa.