Ka shkuar në të paktën 33 të vdekur bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugun e Meksikës në orët e para të së premtes.
Lëkundjet ishin të një manjitudë 8.2 e shkalles Rihter. Presidenti Enrike Pena Nieto tha se ky është tërmeti më i fortë që godet vendin në më shumë se 100 vjet. Kreu i shtetit tha se ai u ndje nga më shumë se 50 milionë meksikanë. Sipas autoriteteve bilanci mund të rritet sërish, pasi ka ende persona që rezultojnë të zhdukur.
Alarmi për tsunami, i aktivizuar menjëherë pas tërmetit, u anulua. Dëme të jashtëzakonshme u raportuan në shtetet Oaxaca dhe Chiapas. Me qindra persona braktisën banesat dhe kaluan natën në rrugë në Mexico City.
Lëkundjet e tokës, që zgjatën 1 minutë, u ndjenë deri në 1 mijë km nga epiqendra.
Kjo është statuja e Engjëllit të Pavarësisë në kryeqytetin Mexico City në momentin e tërmetit.
Ushtria meksikane është mobilizuar tashmë duke ofruar asistencën e saj ndaj ekipeve të emergjencës të cilët kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja. Me mijëra njerëz mendohet se kanë mbetur të pastrehë, ndrësa energjia elektrike është ndërprerë në shumë qytete.
Hera e fundit kur Meksika përjetoi një katastrofë të tillë natyrore ishte viti 1985, kur një tërmet me magnitudë 8.2 shkaktoi mijëra viktima.