Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të anulojë një ligj të miratuar nga Parlamenti rajonal katalanas për të mbajtur një referendum për pavarësinë e kësaj krahine.
Referendumin e planifikuar për më 1 tetor, Rajoy e cilësoi të jashtëligjshëm. Aktualisht, krahina e Katalunjës gëzon autonomi, por qeveria rajonale thotë se ka mbështetjen popullore për ndarjen e plotë.
“Çfarë s’është e ligjshme, është edhe antidemokratike. Ligji i miratuar nga Katalunja është një akt i papranueshëm mosbindjeje dhe do t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese ta anulojë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.
Rajoy shtoi se të gjithë këshillave lokale do t’u kujtohet detyra e tyre për të penguar ose paralizuar referendumin.
Parlamenti rajonal i Katalunjës miratoi të mërkurën vonë ligjin për referendumin, duke bërë gati fushëbetejën e radhës me Madridin zyrtar.