Parlamenti i Katalonias votoi të mërkurën për mbajtjen e një referendumi për pavarësi më 1 tetor, duke sfiduar qeverinë spanjolle e cila është zotuar se do të pengojë atë që ajo e ka quajtur votim të paligjshëm.

Pas 12 orë debatesh shpesh kaotike në Barcelonë, shumica votoi në mbështetje të referendumit dhe krijimit të kuadrit ligjor për ngritjen e shtetit të ri, me të cilën parlamenti do të deklaronte pavarësinë 48 orë pas votimit në referendum.

Ligjvënësit që kundërshtojnë pavarësinë braktisën parlamentin para votimit. Fituesit të drejtuar nga kreu rajonal, Carles Puigdemont, kënduan himnin kombëtar katalonas pas numërimit të votave.

Anketat në rajonin verilindor tregojnë për zbehje të mbështetjes për vetëqeverisje derisa ekonomia spanjolle po përmirësohet. Por, shumica e katalonasve duan të kenë mundësinë që të votojnë për apo kundër ndarjes nga Spanja.

Qeveria i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Spanjës që të shpallë të pavlefshëm referendumin. Sipas kushtetutës spanjolle, vendi është i pandashëm.