Uragani Irma ka shkaktuar dëme të shumta në ishujt Karaibe, ku të paktën 7 persona kanë humbur jetën nga stuhia shkatërrimtare.

Pothuajse 90% e ishullit të Barbudës është shkatërruar. Stuhia ka arritur në Porto Riko, ku Guvernatori deklaroi se pret dëme të konsiderueshme. Rreth 300,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa një mijë njerëz janë vendosur në strehimoret e ngritura gjatë ditëve të fundit.

Guvernatori i ishullit, Ricardo Rossellò, konfirmoi ndërprerjen e shërbimit në disa komuna në qendër të qytetit dhe në veri, si pasojë e rrëzimit të pemëve nga erërat e forta.

Dy ishujt e vegjël francezë të Saint Martin dhe Saint Barthelemy në Detin e Karaibeve janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Uragani Irma ka arritur kategorinë e pestë, që është niveli më i lartë i mundshëm, erërat e të cilit kanë kapur 297 kilometra në orë.

Irma vjen në një kohë kur Teksasi i SHBA-së po rimëkëmbet nga uragani Harvey, i cili ka goditur dhjetë ditë më parë. Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar ndihmën prej 7.9 miliardë dollarësh për viktimat e Harvey-t.