Një qytetare durrsake denoncon pranë redaksisë së DurrësLajm, atë që ajo e cilëson “Afganistanin” e qytetit bregdetar.

Në morinë e fotove që ajo ka sjellë në redaksinë tonë, qytetarja dokumenton zënien e trotuareve në lagjen nr.12 dhe nr.16 nga ato që në gjuhën popullore quhen tregu i gabit.

Me dhjetëra tregtarë ambulantë zaptojnë trotuaret që në mëngjes herët duke ekspozuar rrobat e përdorura.

Trotuaret që duhet të ishin në dispozicion të qytetarëve vihen në funksion të këtyre shitësve ambulantë, që me të padrejtë shfrytëzojnë hapësirat publike.

E njëjta problematikë ekziston edhe tek tregu i fruta-perimeve, ku dhjetëra ambulantë tregtojnë perimet, frutat e deri djathin, peshkun etj në ambientet tërësisht të papërshtatshme.

Por nëse në këtë rast, policia bashkiake ka ndërmarrë disa herë aksione për largimin e tyre (pavarësisht se të nesërmen ata janë rikthyer sërish në vendet e tyre të tregtimit), për tregun e gabit, policia bashkiake nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Përveç zënies së trotuareve, tregtimi i veshjeve të përdorura në mes të rrugës, e jo në vende të përcaktuara për shitjen e këtyre produkteve, dëmton edhe imazhin e qytetit bregdetar.

Të mos harrojmë se pasi mbarojnë ditën e punës, tregtarët e gabit lënë pas me dhjetëra mbeturina të gjithëfarë lloji, duke rënduar edhe më shumë situatën për banorët e zonës, që në çdo orë të ditës kanë para syve të tyre këtë pamje të shëmtuar. 

Pas rikthimit nga pushimet dhe rinisjes së punës në shtator, pushtetarët vendorë duhet të mendojnë një zgjidhje përfundimtare për këtë zallamahi që vret sytë e çdo qytetari durrsak.