Një person i armatosur mori peng disa klientë në një restorant në qendër të Charleston-it në Karolinën e Jugut dhe qëlloi për vdekje njërin prej tyre.

Sipas medieve ndërkombëtare, gjithçka nisi në restorantin “Virginia's On King”, ku një burrë afro-amerikan rreth të 50-ave doli nga kuzhina i armatosur me një revolver në dorën e tij të majtë.

Ai kishte bërtitur se qyteti do të kishte një shef të ri tani e tutje. Por pas disa orësh negociata policia i dha fund pengmarrjes duke plagosur rëndë agresorin.

Kryebashkiaku John Tecklenburg shpjegoi se bëhej fjalë për një punonjës të pakënaqur, i cili kishte qëlluar kundër një klienti dhe kishte marrë peng disa prej atyre që gjendeshin brenda restorantit.

Sipas autoriteteve atje, nuk bëhet fjalë për terrorizëm e as për krim urrejtje.