Kompania farmaceutike shumëkombëshe amerikane “Johnson & Johnson” u urdhërua të paguajë një super kompensim prej 417.000.000 $, sepse produktet e saj të bazuara në pudrën talk mund të shkaktojnë kancer.

Kështu vendosi një gjykatë në Los Angeles, në një vendim në favor të Eva Echevarría-s, 63 vjeçe, e cila u sëmur nga kanceri ovarian pas përdorimit për vite të tëra të talk-ut të prodhuar nga “Johnson & Johnson”. Juria dënoi kompaninë farmaceutike që të paguajë gruan, e cila është gati për të vdekur, me një super kompensim prej 417 milionë dollarësh, rreth 350 milionë euro.

Një shifër rekord, që megjithatë, është vetëm një nga kauzat e humbura nga kompania shumëkombëshe për mos informimin e publikut ndaj rreziqeve të kancerit të lidhura me përdorimin e produkteve të saj talk, sidomos pudra për fëmijë. Në fakt janë 2.400 padi të ngritura kundër “Johnson & Johnson”, pas studimeve të shumta shkencore që kanë sugjeruar lidhjet midis pudrës talk dhe fillimit të tumoreve të vezoreve apo qafës së mitrës. /Bota.al