Kur kanë kaluar pak orë nga sulmi i ndodhur pasditen e sotme në “La Rambla” të Barcelonës ku një person hyri qëllimisht me furgon mes turmës së njerëzve duke shkaktuar 13 viktima dhe 25 të plagosur identifikohet edhe autori i dyshuar.
Sipas mediave vendase dyshohet se autori i këtij akti të rëndë që shkaktoi viktima dhe të plagosur është personi i identifikuar me emrin Driss Oukabir.
Njoftohet se drejtuesi i mjetit është larguar në këmbë pasi përplasi dhjetëra këmbësorë, ndërsa raporte të tjera thonë se dy persona të armatosur, dyshohet autorët e sulmit me furgon, kanë hyrë në një restorant turk pranë “La Rambla” pas ngjarjes së mëparshme.
Pas sulmit në vendin e ngjarjes u gjet një pasaportë spanjolle e cila i përkiste një shtetasi mysliman 1 metër e 70 centimetra i gjatë i veshur me të bardha.
Furgoni me të cilin u krye sulmi ishte marrë me qera në “Santa Perpetua de la Mogata”.
Dëshmitarë nga vendngjarja kanë publikuar foto dhe video nga momenti i tmerrit, ndërsa atje shkuan automjetet e emergjencës, pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët.
Njerëzve aty pranë iu tha të shmangin zonën, ndërsa shërbimet e emergjencës i janë përgjigjur menjëherë sulmit në kryeqendrën e Katalunjës.