Mbrëmjen e sotme janë me dhjetëra qytetarë durrsakë që prej mëse 30 minutash presin më kot në stacionin e autobuzave të plazhit, pranë sheshit “Pranvera” në Durrës mbërritjen e autobuzit.
Në fotot dhe videon që një qytetar ka dërguar në redaksinë e DurrësLajm shihen me dhjetëra qytetarë që mbushin stacionin, në pritje për të shkuar në destinacionin e tyre.
Prej kohësh, linjat urbane që lidhin qytetin e Durrësit me lagjet periferike administrohen nga privatët. Por duket se administrimi nga ana e tyre lë për të dëshiruar, përderisa në kulmin e sezonit veror qytetarët nuk mund të përdorin dot autobuzët.
Shumë pushues, turistë apo emigrantë, që kanë zgjedhur për të pushuar në zonën bregdetare të Durrësit i drejtohen çdo pasdite qytetit. Por pritja e tyre për shumë minuta në stacion, në një kohë kur nuk dinë ende nëse do të mbërrijë a jo një autobuz, përçon një imazh jo të mirë për qytetin.
Edhe nëse në rastin më të mirë autobuzi do të mbërrijë, qytetarët do të bëhen "sardele" brenda tij.
Të shumtë janë qytetarët që lëvizin me linjën urbane Durrës-Plepa-Durrës e që konstatojnë çdo ditë mbushjen tej kapacitetit të lejuar të urbanëve, vapën e madhe të krijuar në këto mjete transporti dhe, nganjëherë, pritjen e gjatë nëpër stacione.