Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim federal për të drejtat civile, lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demostrate të nacionalistëve të bardhë, në Sharlotsville të Virxhinias.
Të shtunën, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se, “Dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville janë një goditje e rëndë për ligjin dhe drejtësinë amerikane. Kur veprime të tilla burojnë nga fanatizmi dhe urrejtja, ato përbëjnë një tradhëti ndaj vlerave tona thelbësore dhe nuk mund të tolerohen”. Për këtë "Kam biseduar me drejtorin e FBI-së, Chris Wray, agjentët e FBI-së në vendngjarje dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit për shtetin e Virxhinias”. FBI ka mbështetur autoritetet shtetërore dhe lokale gjatë gjithë ditës. "Prokurori amerikan Rick Mountcastle ka filluar një hetim federal dhe do të ketë mbështetjen e plotë të Departamentit të Drejtësisë. Drejtësia do të mbizotërojë”, deklaroi zoti Sessions. Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun Perëndimor të Virxhinias dhe ajo e Richmond Field Office të FBI, gjithashtu lëshoi një deklaratë që konfirmonte hetimin. "Zyra Richmond e FBI-së, Divizioni për të Drejtat Civile dhe Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun Perëndimor të Virxhinias, kanë hapur një hetim të të drejtave civile rreth rrethanave të incidentit vdekjeprurës të makinës që kaloi përmes turmës, të shtunën në mëngjes. Ne kemi dëshmi dhe ky është një hetim që do vazhdojë, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë më tej tani", thuhet në deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm, Sessions.
Ndërkohë Guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonëshme në Sharlotsville, pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja dhe antiprotestuesve, që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
Gjithashtu, një zyrtar i Spitalit Universitar të Virxhinias tha se, 20 persona u sollën në spital pasditen e së shtunës, pasi një makinë u lëshua mbi një grup protestuesish antifashistë pranë një shëtitore popullore për këmbësorë në qytetin e kolegjit. Një person vdiq dhe pjesa tjetër u vlerësuan dhe u trajtuan për lëndime. Videoja e postuar në mediat sociale tregon një makinë përmes turmës, ndërsa në fotot dhe videot e tjera të postuara në internet të shtunën, njerëzit mund të shihen duke u trajtuar për lëndime.
Perktheu: Shefqet Kërcelli