Zbardhet identiti i tre të arrestuarve nga policia e Durrësit pasi u kapën me tri mina me telekomandë.

Në pranga kanë rënë shtetasit Ilir Alliu, 47 vjeç, Edmond Bardhi 37 vjeç dhe Bledar Çakalli 31 vjeç, me origjinë nga Dibra por banues në Sukth të Durrësit.

Këta shtetas u kapën në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues Ilir Alliun dhe pasagjerë Edmond Bardhin dhe Bledar Çakallin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.

Nga hetimet paraprake rezultoi se këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale