Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka bërë lëvizjen e tij të parë që nga marrja e detyrës, duke detyruar shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Pierre de Villiers, të japë dorëheqjen.
Kreu i shtetit dhe ushtaraku i lartë kishin në plan të takoheshin të premten e ardhshme për të zgjidhur një përplasje të lindur më 12 korrik, kur Macron i ishte hakërryer për kritikat e bëra nga De Villiers për shkurtimin prej 850 milionë euro të buxhetit të mbrojtjes. 
Macron e akuzon 61-vjeçarin De Villiers se nuk ka mbajtur gojën mbyllur, por ka shprehur hapur kritikat e tij ndaj planeve për shkurtime të shpenzimeve, përfshirë ato të mbrojtjes. 
Vlen të theksohet megjithatë se gjenerali i dorëhequr është një ushtarak shumë i vlerësuar në radhët e ushtrisë dhe kritikat e tij janë cilësuar si të drejta për faktin se në shumë zona lufte ku veprojnë forcat e armatosura franceze, nisur nga Mali, ushtarët kanë në dispozicion mjete që nuk janë në lartësinë për kryerjen e detyrës. 
Pa harruar këtu terrorizmin, kërcënimi i të cilit në Francë mbetet shumë i lartë dhe që për ta luftuar francezët i besojnë shumë ushtrisë së tyre