Pandemia ka ulur lehtë numrin e bizneseve në Shqipëri, duke arritur me 536 ndërmarrje më pak se në 2019-n.

Sipas Institutit të Statistikave, e kundërta ka ndodhur me numrin e fermerëve të formalizuar, të cilët u shtuan në 49 mijë nga 44 mijë e 500 që rezultonin përpara pandemisë.

Në total numri i bizneseve me NIPT të regjistruar në Shqipëri në fund të vitit të shkuar është 166.386 sipërmarrje, të dominuar kryesisht nga sektori i tregtisë, shërbimeve dhe bujqësisë.

Pavarësisht numrit më të madh të bizneseve të regjistruara në këto fusha, shifrën më të  lartë të të punësuarve e ka industria, ndërtimi dhe akomodimi.

Gjatë epidemisë së Covid në 2020-n, numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj u ul në 3.6% të totalit të bizneseve nga 4% që zinin në 2019-n, ndërsa këto kompani vijojnë të mbajnë 12.4% të të punësuarve në vendin tonë.

Shumica e bizneseve aktive janë të përqendruar në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ndërsa ekonomia vijon të dominohet nga ndërmarrjet e vogla.