Mëngjesin e ditën e sotme, raportohet të jetë kryer një vjedhje në banesën e një familje në fshatin Stajkë të bashkisë Vau Dejës.
Tre persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra në banesën e shtetasit Pashk Meli.
Grabitësit nuk kanë folur asnjë fjalë, por vetëm njëri prej tyre i ka drejtuar pistoletën Pashk Melit dhe janë larguar me shpejtësi. Më përpara tre personat e armatosur kanë marrë edhe serverin e kamerave të sigurisë të kësaj banese, duke u siguruar që të mos lënë asnjë gjurmë gjatë grabitjes.
Pashk Meli së bashku me babain dhe nënën e moshuar ndodheshin brenda në shtëpi në momentin kur ka ndodhur grabitja.
Familja Meli ka bërë denoncim në postën e policisë në Barbullush, pjesë e policisë vendore të Shkodrës, duke treguar se çfarë ka ndodhur. Policia ka mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete për zbulimin e grabitësve.
Nga kamerat e sigurisë të subjekteve aty afër shihet vetëm momenti i ardhjes me një mjet, por nuk dihet se nga kanë ikur, pasi kanë kryer grabitjen.





