Mediat italiane kanë dhënë detaje të tjera për ekzekutimin e 49-vjeçarit shqiptar në Itali, duke bërë publik tashmë edhe identitetin e tij.

Viktima është identifikuar si shtetasi Demir Hyseni, një marangoz me origjinë shqiptare, që jetonte me gruan dhe vajzën në një apartament në katin e dytë në rrugën “Galvani” në Terni.

Pak minuta para se ora të shënonte 7:00 e mëngjesit, ashtu si çdo ditë, shqiptari zbriti nga shtëpia për të shkuar në punë, në një firmë në zonën e Stroncones.

Hipi në makinën e tij “Volkswagen Touran” dhe autori i është afruar. Mes tyre ka patur sherr që është pasuar me të shtëna, sipas asaj që kanë përshkruar dëshmitarët.

Për sa i përket autorit ata e kanë skicuar si një burrë të shëndoshë me lëkurë të bardhë dhe flokë të errëta, i veshur me një këmishë blu. Sipas tyre, vrasësi nxori një pistoletë gjysmë automatike me kalibër 7.65 dhe me të ka qëlluar ndaj shqiptarit.

Të parët që shkuan pranë 49-vjeçarit, që shtrihej në mes të rrugës, ishin gruaja dhe vajza, në krahët e të cilave, shqiptari ndërroi jetë.

Policia njofton e ka gjetur armën e krimit në një kosh mbeturinash, pak larg vendit të ngjarjes. Ndërkohë ka nisur puna për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve.