Teuta është në negociata me Interin për Ze Turbon, emri i plotë i të cilit është Xhunior Hose Korreia. Futbollisti në fjalë është vetëm 20 vjeç dhe ka kontratë me klubin italian deri në qershor të vitit 2018. Qëllimi i durrsakëve është që ta marrin në formë huazimi, pasi këtë procedurë ka ndjekur Interi edhe në vitet e fundit. Ai nuk ka luajtur kurrë me fanellën e ekipit të parë milanez, ndërsa gjatë karrierës së tij është aktivizuar me Tondelan në Portugali dhe Marbejan në Spanjë.

Nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë destinacioni i radhës i qendërsulmuesit nga Guiena Bisau, që njëherësh ka pasaportë portugeze, mund të jetë pikërisht Durrësi. Ky element mund të shfrytëzohet jo vetëm si “pykë”, por edhe si sulmues krahu. Plotësimi i repartit të avancuar mbetet “basti” i drejtuesve të Teutës gjatë kësaj merkatoje vere.

Durrsakët kërkojnë të ndërtojnë një ekip ndryshe nga i sezonit të shkuar. Sfida testuese e “djemve të detit” ndaj Laçit ka nxjerrë në pah nevojën për të pasuruar ofensivën, duke qenë se për momentin nuk kanë asnjë sulmues të mirëfilltë. Klubi këtë sezon ka në plan që të zbatojë një projekt realisht ambicioz. Drejtuesit kanë pretendime madhore, ndërsa zona “Euro” nuk duhet të diskutohet. Nisur nga ky fakt, edhe blerjet duhet të bëjnë diferencën. Prej ditësh, përgjegjësit e merkatos po “operojnë” në tregun e huaj për të evidentuar të duhurit.