Arsenali ka arritur marrëveshje me Newcastle United për transferimin e kapitenit Bruno Guimaraes, në një operacion që kap vlerën e 75 milionë funteve.

Mesfushori brazilian, i cili ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Newcastle, ka marrë leje për të udhëtuar drejt Londrës, ku pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore përpara finalizimit të transferimit.

Guimaraes, 28-vjeçar, u kishte bërë të ditur drejtuesve të Newcastle gjatë verës se dëshironte t’i bashkohej Arsenalit në rast se do të mbërrinte një ofertë e përshtatshme. Oferta e parë e “Gunners” ishte refuzuar, por palët tashmë kanë gjetur marrëveshjen.

Braziliani iu bashkua Newcastle në vitin 2022 nga Lyon për rreth 40 milionë funte dhe gjatë periudhës së tij në “St James’ Park” ka regjistruar 195 paraqitje dhe 31 gola.Newcastle kishte këmbëngulur që Guimaraes të qëndronte në klub, por lojtari ishte i vendosur të largohej, pasi e konsideronte këtë si një nga mundësitë e fundit të mëdha për të luftuar për trofe të rëndësishëm.Sipas Sky Sports, Newcastle nuk pranoi të negocionte nën vlerësimin e klubit dhe marrëveshja u arrit në kushtet e tyre.
Transferimi i Guimaraes do të ishte një përforcim i madh për mesfushën e Arsenalit, ku ai do t’i bashkohej emrave si Declan Rice, Martin Zubimendi, Martin Ødegaard, Mikel Merino dhe Myles Lewis-Skelly.

Për Sky Sports, Oliver Yew e ka cilësuar transferimin si “një blerje deklarate për Arsenalin”, duke vlerësuar se braziliani është një prej mesfushorëve më të mirë të Premier League.Me këtë transferim, Arsenali synon të forcojë edhe më shumë skuadrën në garën për titullin e Premier League dhe objektivin për të fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve.