Vatra e zjarrit në Qukës të Elbasanit, e shfaqur fillimisht më 2 gusht, është riaktivizuar sërish në pjesën veri-perëndimore të masivit, duke rikthyer forcat zjarrfikëse në terren.

Ndërhyrja operacionale gjatë kësaj të mërkure zgjati rreth 11 orë, për shkak të terrenit të thyer, temperaturave të larta dhe erës, të cilat favorizuan riaktivizimin e vatrave të fshehura edhe pasi ato ishin izoluar.

Për të frenuar përhapjen e flakëve u hapën qindra metra transhe ndarëse, ndërsa vatrat aktive u trajtuan me pompa shpine dhe mjete të lehta, pasi lëvizja e mjeteve zjarrfikëse ishte e kufizuar për shkak të terrenit.

Në operacion u angazhuan edhe forcat e Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërsa kompani private mbështetën ndërhyrjen me mjete dhe transport.

Aktualisht, zjarri në malin e Qukësit është nën kontroll dhe shërbimi zjarrfikës vijon monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizime të tjera.

Prej më shumë se tre javësh, vatra në malin e Qukësit vijon të mbetet një sfidë për shërbimin zjarrfikës në Prrenjas.