Klubet e Premier Ligës janë më të pasurat për shkak të të ardhurave shumë të larta që përfitojnë nga e drejta televizive. Duke pasur kaq shumë para nëpër duar është e natyrshme që të shpenzojnë edhe më shumë se të tjerat.
Zbulimet e ekspertëve të analizës financiare të kompanisë “Vysyble” llogarisin se 20 klubet e Premier Ligës humbasin mesatarisht çdo ditë të merkatos, 876 mijë paund (gati 1 milion euro) dhe po vuajnë gjithnjë e më shumë që të përballuar kostot gjithnjë e në rritje të kartonëve dhe rrogave të futbollistëve.
Roxher Bell i “Vysyble” paralajmëron: “Financiarisht, futbolli është duke falimentuar. Klubet më të mëdha të futbollit në Britani po shpenzojnë shumë, më shumë edhe sesa fitojnë".
Dhe presidenti i Premier Ligës, Riçard Skudamore, duhet të jetë i shqetësuar”. Nëse gjigantët e transmetimit të Premier Ligës, “Sky Sports” dhe “BT”, të cilët të dy së bashku e kanë blerë të drejtën televizive për transmetimin e kampionatit anglez në Mbretërinë e Bashkuar (2016- 2019) për 5.14 miliardë sterlina, ndërsa transmetuesit ndërkombëtarë të cilët paguajnë 3.2 miliardë sterlina do të ofrojnë më pak në procesin e shitjes së të drejtës së ardhshme televizive, atëherë Premier Liga do të jetë në rrezik për të falimentuar.
Rritja e shpenzimeve në Angli ka ardhur për shkak të investimeve të pronarëve miliarderë në klube si Çelsi apo Siti, por edhe nga rekrutimet e Mançester Junajtid pas tërheqjes së Sër Aleks Fergusonit 4 vite më parë.
“Vysyble” llogarit që Arsen Venger të ketë kohë të vështira, sepse rritja ekonomike e Arsenalit nuk ecën me të njëjtin trend me ato të rivaleve. Junajtid xhiroi 515 milionë sterlina në 2016, ndërsa Siti 391 milionë kundrejt 353 të Arsenalit, 301 milionë të Liverpulit dhe 298 milionë të Çelsit.