Futbollistët e Teutës nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani u janë rikthyer dje përgatitjeve në terren, përgatitje të cilat janë zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”. Trajneri Magani dhe ndihmësi i tij Dervishi kishin programuar një seancë me ushtrime të lehta për futbollistët, ndërsa trajneri i portierëve Xhevahir Kapllani ka stërvitur portierët Kastrati dhe Shala.

Lajmi i mirë vjen nga Sundai Oluasina që ka mbyllur procedurat sa i përket vizës dhe javës që vjen do të jetë në Durrës për t’iu bashkuar ekipit të drejtuar nga trajneri Magani. Nigeriani ka hasur jo pak probleme me vizën, gjë e cila e ka penguar atë që të mbërrijë në kohë në Durrës.

Përpos përgatitjeve në terren dhe punës së drejtuesve në merkato, njëkohësisht ka nisur edhe planifikimi i ndeshjeve miqësore për fazën përgatitore verore. Është konfirmuar edhe një nga ndeshjet miqësore verore të Teutës, ku më 5 gusht, në orën 18:00, do të luajë ndaj italianëve të Riminit. Kjo është zyrtare dhe të dy klubet kanë caktuar ditën dhe orën e ndeshjes.

Teuta ka planifikuar që të zhvillojë një fazë intensive përgatitore në Itali, fazë e cila do të nisë më 17 korrik në afërsi të Riminit. Drejtuesit kanë premtuar se fillimi i fazës përgatitore do ta gjejë të plotë skuadrën, pasi gjatë këtyre ditëve pritet që Teuta të afrojë edhe përforcimet e fundit. Pra, mendohet që trajneri Magani do ta nisë punën për sezonin e ri në Itali me organikë të plotë, në mënyrë që lojtarët të kenë kohën e mjaftueshme që të harmonizohen me njëri-tjetrin.