Policia e Gjirokastrës ka dalë në një informacion paraprak lidhur mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë mbrëmje në qytetin e Tepelenës, ku mbeti i ekzekutuar shtetasi Çajup Selimi, 54 vjeç. Sipas policisë, Selimi ka humbur jetën në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ndërsa është qëlluar rreth orës 21.15 në qendër të qytetit.

“Rreth orës 21:15 në qytetin Tepelenës, në  lagjen “15 Shtatori”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ç.S., rreth 54 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Gjirokastër si pasojë e plagëve të marra. Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe Forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit. Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit Tepelenë”,– njofton policia.

Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.