Ish-futbollisti i famshëm durrsak Agim Bulku, është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”. Bashkia e Durrësit i akordoi këtë vlerësim të lartë Bulkut me motivacionin “pioner i shkollës së futbollit shqiptar, futbollist i Lokomotivës, pasi ka kontribuar për krijimin e shoqatës futbollistike ‘Tropikal’ dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezit të ri”.
Titulli iu dorëzua Agim Bulkut nga ish- shoku i skuadrës Edmond Zalla, ndërsa i intervistuar për “DurrësLajm” ai u shpreh: “Është një karrierë e gjatë, u jam mirënjohës mësuesve të mi, familjes sime, bashkëshortes, të gjithë jemi marrë me sport e kemi punuar shumë dhe rezultati është ky që shohim sot”.
Karriera e Agim Bulkut
Në vitet 70-të ai u rreshtua në formacion me Shkëndijën dhe luajti krah të shquar të futbollistëve të asaj kohe si: Agron Sula, Vasillaq Zëri, Astrit Hafizi, Milto Gurma, Leonidha Çurri, Arjan Hoxha, Petrit Gjoni, Gjergji Ballsho etj, duke qenë alternativë e padiskutueshme edhe në ekipin përfaqësues Shpresa.
Në periudhën 1974-1980 u bë pjesë e Lokomotivës së famshme , ndërsa më 17 maj 1975, mori titullin "Trajner futbolli". Ai drejtoi të rinjtë e Lokomotivës për 3 vjet (1980-82).
Bulku ka drejtuar Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve në vitet 1983 – 1990,
Në janarin e 1996-s mbaroi kursin e kualifikimit për trajner futbolli në Kovercianon italiane.
Ndër të tjera ai ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit deri në vitin 2001,e përgjegjës i zonës nr. 3 për futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, drejtor i shkollës së mesme kombëtare të mjeshtrisë sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës.
Shumë shpejt Agim Bulku, do të punojë edhe për fëmijët bolonjoze.