Dhjetëra mbështetës të qeverisë hynë me dhunë në Parlamentin e Venezuelës që kontrollohet nga opozita dhe sulmuan disa deputetë e gazetarë.
Dhuna shpërtheu pas sesionit të Asamblesë Kombëtare që shënoi ditën e pavarësisë së vendit. Agresorët nga radhët e mbështetësve të Presidentit Nikolas Maduro ishin armatosur me mjete rrethanore dhe shpërthyen fishekzjarrë në oborrin e Parlamentit.
Pamjet televizive shfaqin deputetë të opozitës të përgjakur dhe gazetarët që u bënë pre e dhunës së protestuesve. Mësohet se turma me protestues ishte mbledhur prej orësh para parlamentit dhe duket se sulmi u krye pas nxitjes së tërthortë që ata morën nga zëvendës presidentit i vendit. Tareck al Aissami u shfaq në kongres me disa ministra dhe gjatë fjalimit të tij i bëri thirrje protestuesve që të tregonin mbështetjen për presidentin.
Venezuela është përfshirë nga një krizë e thellë ekonomike dhe politike. Protestat kundër qeverisë vazhdojnë përditë prej muajsh, por Maduro reziston dhe mban pushtetin me forcë, duke fajësuar opozitën dhe armiqtë e jashtëm për kaosin në vend.
Kulmi i tensionit arriti kur një pilot i identifikuar si Oscar Perez, javën e shkuar sulmoi me helikopter ministrinë e brendshme dhe gjykatën supreme dhe i bëri thirrje popullit të vazhdonte luftën kundër qeverisë.
Pak orë para dhunës në parlament, Gjykata Supreme e Venezuelës, e kontrolluar nga Maduro, nisi procedurat për pezullimin e prokurores së përgjithshme Luisa Ortega Diaz, e cila prej kohësh kritikon politikat dhe reformat e presidentit.