Shqiptari 23-vjeçar Mike Gjeli me prindër shqiptarë, i lindur në Itali, me nënshtetësi italiane e banues në Novi Ligure sapo është emëruar kryetar i seksionit të emigracionit në strukturat partiake të Lëvizjes Lidhja e Veriut e ka një ëndërr për të ardhmen e tij; të jetë ministër i Transportit në qeverinë italiane.

23-vjeçari shqiptar ka tërhequr vëmëndjen e mediave italiane për shkak se është shqiptari i parë që emërohet në një post të rëndësishëm të strukturave të Lidhjes së Veriut, të kësaj force politike të së djathtës italiane, e njohur për politikat  antiemigracion e me një sens të fortë nacionalizmi.

Lideri i Lidhjes së Veriut , Matteo Salvini e ka emëruar në krye të politikës së integrimit në një moment kaq të vështirë që po kalon Italia, ku çdo ditë në brigjet e saj zbarkojnë me qindra emigrantë klandestinë.

Mike Gjeli ka lindur në Itali, nga prindër shqiptarë që më vitin 1991 emigrojnë nga Shqipëria në Brindizi. E gjithë familja e tij ka zgjedhur të marrë vetëm nënshtetësinë italiane e jo të drejtën e mbajtjes së dy nënshtetësive, shqiptare e italiane, siç kanë bërë e bëjnë mjaft shqiptarë emigrantë prej vitesh në Itali.

“Si ka mundësi që një shqiptar në origjinë e bir emigrantësh ka zgjedhur të jetë pjesë e politikës legiste?” pyesin mediat italiane duke iu referuar deklaratave jo të pakta të kësaj force politike kundër shqiptarëve që emigronin dikur me gomone apo të epitezuar “si grabitës e trafikantë”.

Mike Gjeli rrëfen për gazetarët italianë se vetëm pak muaj më parë, në nëntor është bërë anëtar i teseruar i Lidhjes së Veriut. Në një post të publikuar nga Matteo Salvini mbi ligjin e të drejtës së nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve, ligj i miratuar në dhomën e deputetëve të parlamentit e i bllokuar në dhomën e senatit për shkak të votës kundër të Lidhjes së Veriut e Lëvizjes 5 Yje, shqiptari Mike Gjeli kishte komentuar “unë bir emigrantësh prita të mbush 18 vjeç për të qenë nënshtetas italian edhe pse kam lindur në Itali. Nuk kam qenë as i diskriminuar e as i penalizuar kurrë. Ligji që është në fuqi është mjaft i mirë e detyron personat të integrohen. Ligji i ri shërben vetëm për të marrë vota”.

Ky koment i ka mjaftuar liderit të Lidhjes së Veirut Matteo Salvini për ta emëruar si përgjegjës i politikave të emigracionit të kësaj force politike.

Por Mike Gjeli përvec karrierës politike ka një tjetër ëndërr për të ardhmen e tij. I diplomuar në shkenca politike për momentin punon si shofer i një autobusi turistik në një park ujor. Ëndrra e tij është të bëhet ministër i Transportit në një nga qeveritë e ardhshme italiane. “Qysh i vogël më pëlqente loja Lego e të ndërtoja trena. E gjëja e parë që dua të bëj si ministër i Transportit është të përmirësoj linjat hekurudhore lidhëse e transportin mes Jugut e Veriut të Italisë.”

/Marrë nga OraNews/