Etrit Berisha ndër të destinuarit për të qenë zbulimi mes shtyllave në edicionin e ardhshëm të Europa League. Kandidimi nuk është një shprehje tipike e optimizmit shqiptar nisur nga subjektivizmi i tifos për lojtarët tanë, por një sugjerim i vetë Uefa-s. Në faqen e saj zyrtare në faceboook dedikuar ekzkluzivisht Europa League, Uefa ka hapur një sondazh ku pyet fansat e shumtë se cili do të jetë portieri më i mirë i kompeticionit të dytë madhor europian në nivel klubesh për edicionin 2017-2018, dhe një ndër kandidatët është pikërisht Etrit Berisha.

Në garë me gardianin e Kombëtares Shqiptare janë portierë me reputacion apo mjaft të talentuar si Petr Chech i Arsenal, Anthony Lopez i Olimpikut të Lionit dhe Sergio Asenjo i Villareal. Një ogur i mirë ky për Berishën që merr një tjetër vlerësim pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Atalantën ku spikati si një ndër portierët më të mirë të Serisë A duke dhënë kontribut të cmuar në kualifikimin e klubit bergamask në zonën e lartë të renditjes që garanton përfaqësimin në Europa League, sezon pas të cilit Atalanta vendosi të blejë përfundimisht nga Lazio për kartonin e 28 vjecarit nga Prishtina.

Në pritje që Berisha të konfirmojë vlerat e tij edhe në një vitrinë të rëndësishme si ajo e Europa League, tifozët shqiptarë ndërkohë mund të kontrubojnë edhe në garën virtuale të hapur për portierin e Kombëtares në faqen Uefa Europa League në Facebook.