Me drejtuesit që vendosën shkrirjen e thuajse të gjithë skuadrës së sezonit të kaluar, ku nga ekipi u larguan 13 futbollistë, Teuta ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Nën urdhërat e Maganit ishin edhe dy përforcimet e reja, Beqja e Hrkaç, ndërsa përveç planit stërvitor të ekipit, trajneri zbuloi edhe detajet e merkatos. Nga kujdesi që duhet bërë në afrime, te karakteristikat e futbollistëve që kërkon.
“Këtë javë do të punojmë me tre seanca dhe vetëm javën e ardhshme do të stërvitemi përditë. Do të vendosim themelet dhe gjatë kësaj kohe do të punojmë për formatimin e skuadrës, pasi kemi patur shumë largime. Do të punojmë kujdesshëm që të mos bëjmë gabime. Lojtarët e rinj duhet të kenë karakter dhe përveç kualitetit duhet të jenë në shërbim të ekipit, të kenë uri e dëshirë për rezultate. Do të punojmë këto dy javë në Durrës dhe më pas faza do të vijojë në Itali. Natyrisht që kemi programuar edhe disa ndeshje stërvitore. Dy të parat do ti luajmë këtu me skuadrat që stërviten aktualisht, ndërsa më pas do të vijojmë në Itali.”
Vendimi i Ekzekutivit që Kategoria Superiore të nisë më 9 Shtator i ka ndryshuar disi planet e durrsakëve, por Magani nuk pranon të flitet për penalizim. Në garë të gjithë do të hyjnë njësoj, ndërsa trajneri është gati të marrë përgjegjësitë për ecurinë e ekipit.
“Ne ishim nga ato klube që kërkonim që kampionati të niste në datën 20 ose 27, pavarësisht pauzës për angazhimet e Kombëtares. Megjithatë, shtyrja e kampionatit nuk mund të them se na penalizon. Të gjithë ekipet e nisin garën njësoj. Ajo që kërkoj në këto momente është që skuadra të formatohet sa më shpejt. Si unë, presidenti ashtu edhe bashkë-presidenti jemi të dakordësuar, jemi të gjithë në një linjë: që të ndërtojmë një skuadër dhe më tej të vendosim objektivat në startin e kampionatit. Qetësia që më japin drejtuesit, bën që tashmë çdo gjë të jetë përgjegjësia ime për të marrë riskun, si për mirë ashtu edhe për keq.”
Drejtuesi i stolit foli më specifikisht për pozicionet në të cilat kërkon përforcime, ku vëmendje e veçantë do ti kushtohet repartit të sulmit. Aty nevojitet një bomber që do ti garantojë ekipit gola dhe pikë.
“Kemi patur shumë largime, nga mbrojtja, në qendër dhe nga krahët. Pjesën më të madhe të mbrojtjes e kemi formatuar dhe po punojmë për një mbrojtës të majtë. Në qendër të mesfushës ku kemi pasur edhe largime, dhe padiskutim edhe sulmi, ku jo vetëm ne, por çdo skuadër sybnon më shumë. Mendoj që nëse një skuadër e ka sulmin mirë edhe performancën do ta ketë shumë të mirë.”