Rast i rrallë dhe i paprecedentë vjen nga Stambolli, ku një 17-vjeçare lindi fëmijën e saj në tualetin e një plazhi dhe u largua.

“Hurriyet” raporton se 17-vjeçarja G.K., pasi ngeli shtatzënë me të dashurin e fshehu këtë fakt nga familja për 7 muaj e gjysmë. Ajo  kishte shkuar në plazhin e Tekirdag-ut së bashku me familjen, kur u kap nga dhimbje të mëdha dhe shkoi e vetme në tualet.

Pas vonesës së madhe, në tualet shkoi një tjetër anëtar i familjes, por vajza i kërkoi të largohej. Aty adoleshentja lindi një djalë, kërthizën e të cilit e preu vetë. E mbështolli të sapolindurin me peshqir dhe e la në një cep, për t’u kthyer më pas te familjarët.

Disa persona që kaluan pranë tualetit dëgjuan të qarën e fëmijës dhe lajmëruan xhandarmërinë. Ekipet e shëndetit e dërguan më pas fëmijën në spitalin shtetëror të Tekirdag-së dhe megjithëse i lindur para kohe, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.

17-vjeçarja u arrestua së bashku me të ëmën, të atin dhe vëllanë, teksa po largoheshin nga plazhi me makinën e tyre. Në dëshminë e saj, 17-vjeçarja tha se nuk i kishte treguar familjes për shtatzëninë nga frika. Gjykata vendosi masë paraburgimi për të renë, ndërsa familjarët e saj u lanë të lirë.