Ballkani dhe Mesdheu Lindor janë vënë këto ditë në darën e një të nxehti përvëlues, i cili ka bërë që në disa pjesë të Greqisë dhe Turqisë termometri të shënojë temperatura mbi 40 gradë celcius.
Jugu i Italisë dhe juglindja e Europës i kanë bërë dhe ata llogaritë me një vapë mbytëse, por rajonet qendrore të kontinentit janë ndeshur me kontraste të thella të motit. 
Verilindja e Gjermanisë u mbyt të enjten nga shiu. 141 mm shi ranë në Berlin, tre herë më shumë se mesatarja e muajit qershor për këtë vend. Reshjet e dendura bënë që metroja e kryeqytetit gjerman të mbushej me ujë. 
Ekipet e zjarrfikësve kanë ndihmuar në heqjen e ujit me pompa, por qyteti përjetoi edhe probleme të tjera. Në disa pjesë të tij trafiku u bllokua keqas nga shirat e furishëm. Metereologët parashikojnë një fundjavë me stuhi për Gjermaninë, e sidomos zonat lindore të saj. 
Një front i presionit të ulët i përqendruar tani në jug të detit Balltik dhe të tjerë të lidhur me të do të ndikojnë sipas ekspertëve në çrregullimin e kushteve atmosferike anembanë pjesës më të madhe të veriut dhe rajoneve qendrore të “Kontinentit të Vjetër”. 
Shira të fortë parashikohen në perëndimin të Polonisë e në Francë, ndërsa të shtunën ky front zhvendoset ngadalë në Skandinavi, por juglindja e Europës mund të vazhdojë të shijojë ditët me diell, të paktën edhe për pak.