E ardhmja e Perisiç ka marrë një kthesë 180 gradë. Interi e ka tërhequr mesfushorin kroat nga lista e lojtarëve të nxjerrë në merkato. Vendimi është marrë pasi për dyshen Sabatini-Ausilio ofertat për kroatin ishin shumë poshtë 32 milionë eurove që kërkoheshin nga ata. Perisiç kërkohej nga ish-trajneri i tripletës zikaltër, Jose Mourinho. Por oferta e bërë prej Manchester United, sipas mediave sportive italiane, qëndron shumë poshtë kufirit të vendosur nga drejtuesit e Interit.

Perisiç ishte ndër emrat e parë që Interi e lidhte me nevojën për të grumbulluar 30 milionë euro deri më 30 qershor për të qenë brenda rregullave të fair play-t financiar. Vendimi i Interit nuk është pritur mirë nga lojtari. Agjenti i kroatit këmbëngul te transferimi në Premier Ligë, ku klientit të tij i propozohet një pagë prej 5 milionë paundësh në sezon.

Tashmë gjithçka varet nga 28-vjeçari kroat, që ka dy rrugë; ose të pajtohet me vendimin e drejtuesve të Interit dhe të rifitojë besimin e tyre dhe të tifozerisë, ose të këmbëngulë për t’u transferuar te “Djajtë e kuq”, këmbëngulje që nëse nuk do të ishte e suksesshme rrezikon të vendosë atë në stolin zikaltër për sezonin e ardhshëm.