Bledi Mane njihet për rebelizmin e tij dhe me anë të shkrimeve që publikon në faqen e tij në “Facebook” ka thumbuar shumë figura të njohura publike. Shkrimet e tij kanë sjellë shumë reagime madje deri në kërcënime për jetën.

Që Bledi Manes nuk ia ndjen të duket “djali i mirë” për sytë e publikut ai e tregoi edhe në emisionin e Rudina Dembacaj “Mos i fol shoferit” ku theu rekordin e përdorimit të fjalëve jo etike. Gjysmë ore emision u shoqërua me “sirena”.

Në emisionin “Mos i fol shoferit” ai foli edhe për eksperiencën e tij në burg. Bledi Mane është futur në burg 3 herë. Herën e parë ka qëndruar 1 muaj, të dytën 6 muaj dhe herën e tretë 4 muaj. Gjatë qëndrimit të tij në burg, gazetari shprehet se ka hapur kurse për të mësuar të burgosurit si të shkruajnë, lexojnë si edhe gjuhën e huaj anglishten.

“Me anë të psikologëve ose Drejtorisë së burgut 319 hapa dy kurse, një kurs analfabetizmi ku kisha tre djem nga Fushë-Kruja që i mësoja abetaren dhe një kurs anglishteje”, shprehet Mane.

Ai thekson se është përballur me njerëz të ndryshëm dhe ka pasur në dhomë vrasës profesionistë.

“Nuk kalonim mirë sepse ndan qelinë me vrasës profesionistë që mund të çoheshin natën dhe të vrisnin qoftë me një brisk apo shtizë dhe vjen një moment kur të kërcënojnë me telefonta anaonim dhe ti duhet të kesh frikë”.

Bledi Mane ka pasur jo pak probleme me personazhe të njohura dhe një ndër ta është Arjan Çani.

I pyetur nga Rudina se përse i ka prishur marrëdhëniet me Çanin ai është përgjigjur: “Çani i ka prishur punët me mua sepse kishte kohë që fliste shumë publikisht duke më ofenduar dhe lënduar. Është e çuditshme në këtë vend sepse talentin që ta ka dhënë Perëndia duan ta vjedhin ose tjetërsojnë. Dhe Arjani ka pasur raporte tepër miqësore me mua por filloi duke më ofenduar në lidhje me shkrimet që unë bëja duke vendosur edhe pseudonime si ‘Bled trafikanti’. E kisha paralajmëruar disa herë që të mos abuzonte me emrin tim. Për inate personale të Arjan Çanit me Erjon Veliaj apo Edi Ramën duhet të isha unë viktima, ndërkohë  që unë me shumë vështirësi arrita që t’iu tregoja njerëzve që unë jam edhe ai djali që ka qenë burgaxhi por edhe që kam rehabilituar veten, di të punoj, jam korrekt. Dhe si është ajo kënga: Më lini të jetoj”.