Paul Pogba ka bërë rrugë të gjatë për të mbërritur këtu ku është sot, që nga koha kur ndante një krevat me katër të afërmit e tij në apartamentin e vogël të mamasë në lagjet e Parisit. Ylli i Manchester United mbetet gjithmonë ngushtësisht i lidhur me familjen, por tashmë mund të përballojë një shtëpi të tij dhe pak a shumë gjithçka tjetër që mund t’i shkojë ndër mend, madje edhe që t’i blejë mamasë së tij një rezidencë në Guine, atdheun e saj.
Sikurse ndonjëri thotë, ai ka shijuar një fëmijëri ku nuk kishte shumë, por as nuk kërkonte gjë, dhe blerja e tij e parë si futbollist profesionist shoqërohet me një histori gati gati si përrallë.
“Një gjë do ta mbaj mend gjatë të gjithë jetës time. Isha 18 ose 19 vjeç dhe bleva këpucët e mia të para Louboutins, ato ishin të bardha, në fakt bleva dy palë. Pas asaj nuk dola jashtë për një muaj, nuk bleva asgjë. Isha i shokuar. Thashë me vete se nuk do të blej më Louboutins. Ishte qesharake, sepse kur e di vlerën e parasë, kur njerëzit nuk kanë para, ndihesh pak çuditshëm. Ndihesh ‘Uou janë shumë para për një palë këpucë’. Jeta ikën shpejt, ndaj bëj diçka që të bën të lumtur dhe thjesht shijoje jetën, por kjo nuk do të thotë të harrosh njerëzit e tjerë”, u shpreh Pogba.
“Gjejeni çfarë? Më grabitën në Itali dhe më vodhën këpucët. Ndaj të lutem, djali që më vodhi, a mund të më kthesh këpucët, të lutem? Është shumë e rëndësishme për mua. Mbaji të tjerat, vetëm më sill këpucët”, vijoi ylli i Manchester United, që mbetet futbollisti i shitur më shtrenjtë në historinë e futbollit botëror, teksa tregoi: “Unë u rrita në lagje. Me miqtë e mi duke luajtur futboll. Vërtet e dashuroja futbollin që në moshë të hershme dhe mendimi im i vetëm, objektivim im në jetë ishte të bëhesha futbollist profesionist. Ne flinim tre ose katër veta në një krevat. Por ishte koha më e bukur, sepse ishim të gjithë bashkë, ndaj ishte shumë mirë. Për të qenë i sinqertë nuk do të ankohem kurrë, sepse kishim ujë, kishim edhe pak ushqim. Kisha disa veshje, ndonëse nuk ishin më të mirat. Nuk do të them kurrë se isha i varfër, sepse kur shoh njerëz të tjerë, mendoj: ‘Isha i pasur’”, përfundoi Pogba tregimin e jetës së tij.