Policia e Palm Beach Gardens bëri të ditur këtë të premte se tenistja Venus Williams ishte përgjegjëse për një aksident me makinë të ndodhur 9 qershorin e kaluar, ku humbi jetën një 78- vjeçar. Sipas Forcave të Rendit, viktima, Jerome Barson ishte pasagjer në makinën tjetër të përfshirë në aksident që drejtohej nga bashkëshortja e tij Linda Barson. Sipas dëshmisë së kësaj të fundit, Venus Williams kishte kaluar në kryqëzim me të kuq, ndërsa Williams pretendon se ajo kishte kaluar me jeshile, por kishte ndaluar në mes të rrugës për shkak të trafikut dhe nuk e kishte vënë re makinën e drejtuar nga Linda Barson që e goditi në krahun anësor.
Në momentin e aksidentit, Williams ishte me një shpejtësi minimale prej 7 kilometrash në orë. Sipas raportit të policisë, Williams është përgjegjëse pasi i preu rrugën me Toyotan e saj viktimës, ndërkohë që nuk bëhet e ditur nëse tenistja amerikane do të procedohet penalisht për këtë cështje. Aktualisht Venus gjendet në Londër në pritje për të filluar këtë të hënë turneun e Wimbledon, të cilin e ka fituar pesë herë në karrierë, për herë të fundit në vitin 2008. Këtë vit ajo u mund në finalen e Australian Open nga motra e saj Serena, ndërsa në Wimbledon, Venus cilësohet si favoritja kryesore për fitimin e trofeut.