Messi do të thotë “po”. Lajmin e bëri të ditur gjatë kësaj të premteje e përditshmja sportive “Sport”, e cila konfirmoi se ylli argjentinas më në fund është gati për të rinovuar me Barcelonën. Sipas asaj që bën të ditur gazeta spanjolle futbollisti ka rënë dakort me drejtuesit e klubit për të rinovuar dhe firma mbi kontratën e re do të hidhet pas datës 15 korrik duke i dhënë mundësinë lojtarit që të shijojë dhe muajin e mjaltit me bashkëshorten e tij Antonella.
Rinovimi i Messit ishte shndërruar në një cështje në “Camp Nou” aq më tepër që kontrata e futbollistit me blaugranat përfundonte me datë 18 qershor të vitit të ardhshëm por palët duket se kanë gjetur më në fund gjuhën e përbashkët. Sipas asaj që raporton “Sport” kjo do të jetë me shumë mundësi kontrata e fundit e Messit me Barcelonën dhe pritet të ketë dhe një përmirësim të ndjeshëm financiar. Ajo pritet të jetë pesë vjecçare që do të thotë se argjentinasi do ta përfundojë karrierën e tij te Barcelona, pasi në momentin që do të përfundojë kontrata e re, Messi do të jetë 36 vjeç. Në të kaluarën argjentinasi ka shprehur dëshirën ta mbyllë karrierën e tij në vendlindje dhe rinovimi me Barçën është dhe treguesi deri diku se në karrierën e tij të paktën në Europë, Messi do të mbajë veshur vetëm fanellën blaugrana duke i qëndruar besnik klubit katalanas.