Federata Shqiptare e Volejbollit distancohet dhe mohon akuzat e “Federbet”. Sipas kompanisë që monitoron bastet, janë evidentuar flukse të dyshimta parashë në ndeshjet Shqipëri-Azerbajxhan të 23 Qershorit dhe Suedi-Azerbajxhan të datës 25, të vlefshme për Ligën e Europës në volejboll për meshkuj.Nëpërmjet një deklarate për mediat, që mban firmën e presidentit Erlind Pëllumbi, FSHV thekson se “insitucioni, stafi i ekipit kombëtar dhe çdo lojtar i grumbulluar apo që zbriti në fushë, nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk janë të përfshirë në dyshimet që ngrihen për vënie bastesh”.“Federbet” akuzonte se dyshimet për baste të paligjshme lidhen me setin e parë, për fitore me 5 pikë ose më tepër të Shqipërisë dhe Suedisë, ndërsa në përgjigjen e presidentit Pëllumbi thuhej: “Kemi luajtur nga seti i parë i ndeshjes së parë në Shkup deri te seti i fundit në Tiranë me ëndrrën e kualifikimit për në finalet e Ligës së Europës dhe as nuk e kemi menduar kurrë një gjë të tillë. Madje as nuk e kemi ditur që një ndeshje e tillë, apo ku turne kuotohej në baste”.
Drejtuesi më i lart i volejbollit shqiptar kërkon që të mos hidhen akuza të padrejta karshi kombëtares, federatës apo volejbollit shqiptar. “Mos shëmtoni më pa të drejtë atë imazh fantastik që krijuam te tifozët dhe ndërkombëtarët, që na vlerësuan për nivelin dhe organizimin e eventit. Mos fyeni me akuza ta pavërteta lojtarët, trajnerët, kombëtaren e Federatën dhe kini respekt për lotët e atyre djemve në parket pas eliminimit “, theksoi Erlind Pëllumbi.Por, ndërsa dyshimet për akuzat e “Federbet” bien te Azerbajxhani, si skuadër e përfshirë në të dyja ndeshjet, Federata Shqiptare e Volejbollit shprehet se nuk merr përgjegjësi për atë çfarë mund të bëjnë të tjerët, ndërsa shprehet e hapur për çfarëdo lloj hetimi apo bashkëpunimi institucional për sqarimin e kësaj çështje.