Usain Bolt ka fituar garën e 100 metrave në mitingun Golden Spike të Ostravës me kohën 10 sekonda e 7 të qindtat. Kampioni i shumëfishtë olimpik, rekordmen botëror triumfoi me lehtësi përballë rivalëve, por tregoi se ende nuk është në formë optimale.
Sirena alarmi për formën e yllit xhamajkan, kur ka mbetur diçka më tepër se një muaj nga starti i Botërorit të Atletikës në Londër, ku Bolt do të niset sërish si favorit.Rekord i ri i botës u regjistrua në garën e 300 metrave nga Wayde van Niekerk. Atleti afrikano-jugor regjistroi kohën 30″81, duke përmirësuar me 4 të qindtat primatin e mëparshëm që mbahej nga legjenda Michael Johnson. Britaniku Mo Farah fitoi pa probleme në garën e 10 mijë metrave. Kampioni i botës dhe olimpik regjistroi kohën 27 minuta, 12 sekonda e 10 të qindtat, duke u shkëputur vetëm në metrat e fundit nga rivali i ri kenian, Benard Kimeli.