Në vitin 1995, Tefik Hyka, biznesmeni që u qëllua me plumb në kokë këtë paradite në Tiranë, u përfshi në vrasjen e të fortit të Shijakut Dritan Avdyli. Njeriu i Hykës, një person nga 4 Rrugët e Shijakut, futi në kurth Dritan Avdylin, i cili u vra nga vrasësi me pagesë Durim Kusi.

Kjo ngjarje do të pasohej nga një seri vrasjesh.  Njeriu që çoi në pritë Dritan Avdylin do të eliminohej në mes të Shijakut nga djali xhaxhait të Dritan Avdylit. Ndërsa disa vite më pas Durim Kusi do të eliminohej në Tiranë nga djali tjetër i xhaxhait te Dritan Avdylit. Hyka në atë kohë u dyshua si porositës i vrasjes pasi Avdyli i kishte vënë gjobë, raporton “Tv Klan”.

Tefik Hyka në vitin 1995 erdhi në Shijak duke mbledhur bonot e thesarit dhënë ish-të përndjekurve politikë që ishin të shumtë në Shijak. Me ato bono privatizoi fabrikën e tullave në Vorë.